BE-ja MBËSHTET ANËTARËSIMIN E BALLKANIT PERËNDIMOR POR PRET REFORMA

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen përsëriti mbështetjen e BE-së për perspektivën e anëtarësimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por tha se pritet që vendet të përmbushin angazhimet e tyre.

Von der Leyen dha deklaratë për gazetarët pas samitit të 4-t që u mbajt me pjesëmarrjen e liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe liderëve të Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës.

Pasi tërhoqi vëmendjen se samiti u mbajt një muaj pasi KE-ja njoftoi raportin e zgjerimit 2023, Von der Leyen tha se BE-ja dëshiron të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbi kapitullin e parë.

“Mund të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën pasi të sigurohet përshtatshmëria e nevojshme për kriteret e anëtarësimit”, theksoi Von der Leyen.

Ajo vuri në dukje se me qeverinë e re në Mal të Zi ka një vrull të ri në drejtim të përparimit drejt anëtarësimit.

“Rruga që shkon përpara si për Kosovën edhe për Serbinë, kalon përmes përmbushjes së angazhimeve të tyre në kuadër të dialogut të BE-së. E mirëpres uljen e tensioneve në veri të Kosovës”, tha Von der Leyen.

– Mesazhi se “Nuk duhet të shkaktojmë zhgënjim”

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell në një deklaratë në margjinat e samitit tha se është pritur një kohë e gjatë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Ajo që duhet të bëjmë është të përmbushim premtimet tona, të shmangemi nga zhgënjimet dhe të përmbushim pritshmëritë e krijuara”, tha Borrell.

SHARE