KOSOVA ZYRTARISHT APLIKON PËR ANËTARËSIM NË BASHKIMIN EVROPIAN

Krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës zyrtarisht kanë nënshkruar aplikimin që Kosova të bëhet anëtare në Bashkimin Evropian (BE). Në ceremoninë e këtij nënshkrimi në Presidencë morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani tha se 14 dhjetori tash e tutje përpos si ditë kur Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u shndërrua në ushtri më 2018, është ditë historike edhe për aplikimin e shtetit në BE. Osmani tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së dhe ky moment u dedikohet qytetarëve të Kosovës dhe gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë dhe pavarësinë dhe demokracinë e vendit derisa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e ardhmja e Kosovës është brenda BE-së dhe sot po bëjnë një hap të madh drejtë anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, BE. Ai tha se aplikimi i nënshkruar sot nga krerë të institucioneve do t’i dorëzohet Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se ky aplikim për anëtarësim është me rëndësi për Kosovën dhe gjithë rajonin ngase BE-ja ofron stabilitet, demokraci, siguri prosperitet zhvillimor, respektim të të drejtave të njeriut, barazi, konkurrencë të ndershme dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Konjufca ftoi institucionet dhe përfaqësuesit e BE-së që ta miratojnë unanimisht këtë kërkesë.

SHARE