Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksuan bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve në shumë fusha, veçanërisht në përballimin e krizës energjetike. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se dy kryeministrat kanë vullnet të madh për bashkëpunim në të gjitha sfidat dhe se janë bashkë në rrugëtimin evropian. Kovaçevski u shpreh se midis dy qeverive u nënshkruan disa memorandume për nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me fokus të veçantë te energjia. Duke folur për sfidat me të cilat përballen vendet, ai u shpreh se dy vendet janë shembull i vërtetë si ndërtohen marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjithashtu falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e dhënë gjatë anëtarësimit të vendit në NATO. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij theksoi se dy qeveritë kanë pasur mbledhje produktive, ku kanë finalizuar 21 akte të dakordësuara në ndërveprim intensiv si pjesë e punës së qeverive. Rama gjithashtu tha se kanë dakordësuar edhe disa nisma që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 dhe ndërtimin e një porti të thatë në Strugë, në kuadër të projektimit të portit të ri komercial në Durrës. Ai theksoi se ky takim vjen në një moment jashtëzakonisht sfidues për Evropën, duke theksuar se edhe pse nuk e kanë nisur luftën në Ukrainë, vuajnë pasojat e saj. Në këtë kontekst, Rama tha se sa më shumë të bashkëpunojnë vendet, aq më mirë mund t’i përballojnë këto situata komplekse. Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet dypalëshe nuk kanë qenë kurrë më të mira, duke shtuar se ato po përmirësohen në vazhdimësi, sidomos në sferën ekonomike. Në kuadër të seancës së sotme ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ministrat e të dy qeverive nënshkruan marrëveshje dhe memorandume që i referohen disa fushave.