NË SHAVNIK PËRSËRI U ANULUAN ZGJEDHJET NË TË DYJA VENDVOTIMET

Për të katërten herë në Shavnik votimi është ndërprerë rreth orës 18:00 dhe janë anuluar zgjedhjet në dy vendvotime, në sallën e Kuvendit Komunal dhe në fshatin Krushevicë. Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Shavnik, Dushan Radanoviq, tha se deri në orën 18:00 nuk ka pasur parregullsi. Ai tha se në ora 18:00 janë njoftuar nga kryetari i komisionit zgjedhor në vendvotimin numër 1 në Kuvendin Komunal Shavnik dhe vendvotimin 14 në Krushevicë se votimi është ndërprerë. “Arsyet tashmë dihen, anëtarët e komisionit zgjedhor nuk i kanë mundësuar votuesit të ushtrojë të drejtën e votës të garantuar me Kushtetutë dhe ligj”, ka thënë Radanoviq për agjencinë Mina. “Ne jemi të obliguar me Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, i kemi anuluar zgjedhjet në këto dy vendvotime, me siguri do t’i caktojmë për të dielën”, ka thënë Radanoviq. Deri në orën 17:00, 330 votues kishin votuar në vendvotimet në Shavnik dhe Krushevicë, ndërsa 541 kishin të drejtë vote.

SHARE