BORRELL: KEMI BËRË NJË PROPOZIM PËR TEJKALIMIN E KRIZËS NË VERIUN E KOSOVËS

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se u ka bërë një propozim Kosovës dhe Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës, ku nuk ka më punonjës serbë në institucionet vendase, të cilët u tërhoqën në shenjë kundërshtimi të zbatimit të vendimit të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Borrell i bëri këto komente në hapje të takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian përgjatë punimeve të të cilit do të diskutohet për Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në situatën në veriun e Kosovës. Borrell i cili gjatë fundjavës u takua ndarazi në Paris me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha se ‘jemi në prag të një krize tjetër” dhe se duhet dala nga situata përmes një qasjeje strukturore. “Kemi paraqitur një propozim i cili duhet të diskutohet si një rrugëdalje e mirë nga situata. Duhet t’u bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin përkushtimet e tyre, të respektojnë angazhimet dhe të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur shumë vjet më parë”, tha zoti Borrell, por pa dhënë ndonjë hollës se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

SHARE