Foto: Euronews
Rusia do të vendosë regjimin e vizave për shtetasit e Malit të Zi, pasi Podgorica vendosi të njëjtin regjim për qytetarët rusë, në kuadër të harmonizimit të politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, konfirmoi se Mali i Zi e kishte njoftuar Moskën në fund të shtatorit për ndërprerjen e marrëveshjes së vitit 2008, e cila rregullonte udhëtimin pa viza ndërmjet dy vendeve.
Sipas saj, nga 1 nëntori, qytetarët rusë do të mund të hyjnë dhe të qëndrojnë në Mal të Zi vetëm me vizë, ndërsa edhe shtetasit malazezë do të duhet të pajisen me viza për të udhëtuar në Rusi.
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar dokumentin për shfuqizimin e marrëveshjeve të udhëtimit pa viza me Rusinë, Bjellorusinë dhe Turqinë, në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në BE.
Ky vendim përbën një nga kriteret përfundimtare për mbylljen e Kapitullit 24, që lidhet me Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, si dhe një nga detyrimet kryesore të Agjendës së Reformave.
Ndërkohë, Zakharova kritikoi vendimin e Podgoricës, duke pretenduar se ai do të ulë numrin e turistëve rusë, do të dëmtojë bizneset malazeze dhe do të ndikojë negativisht në klimën e investimeve.
Ajo akuzoi gjithashtu Bashkimin Evropian se po ushtron presion ndaj vendeve kandidate për të harmonizuar politikat e tyre me qëndrimin e BE-së ndaj Rusisë.
Komisioni Evropian prej vitesh u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përafrojnë regjimet e vizave me ato të BE-së, me qëllim parandalimin e migrimit të parregullt dhe keqpërdorimit të udhëtimit pa viza.









