Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe presidenti i Polonisë, Karol Navrocki, gjatë takimit në Varshavë, kanë vlerësuar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm, nëse vazhdojnë reformat dhe përmbushja e kritereve evropiane.
Navrocki konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Polonisë për integrimin evropian të Malit të Zi, duke e cilësuar atë si vendin kandidat më të avancuar në këtë proces.
Nga ana tjetër, Millatoviq theksoi se anëtarësimi deri në vitin 2028 do të ishte sukses jo vetëm për Malin e Zi, por për gjithë Evropën.
Dy presidentët diskutuan edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit.
Millatoviq bëri të ditur se shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve kanë tejkaluar 112 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa investimet polake në Mal të Zi kanë arritur në rreth 60 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit. Të dy liderët riafirmuan përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.









