Foto: Ilustrim
Kroacia i ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku paraqet tetë kërkesa që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara anëtarësimit në BE.
Kërkesat lidhen kryesisht me çështje të pazgjidhura nga luftërat e viteve 1990, të drejtat pronësore, krimet e luftës, kthimin e anijes shkollore “Jadran” dhe përcaktimin e kufirit mes dy vendeve.
Gjashtë prej tyre lidhen me Kapitullin 23, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa dy të tjerat me Kapitullin 31, për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Ndër kërkesat kryesore të Zagrebit janë dëmshpërblimi për ish-të burgosurit në kampin e Morinjit, ndryshimi i emrit të pishinës në Kotorr që mban emrin e vaterpolistit Zoran Gopçeviq, zbardhja e fatit të 14 shtetasve kroatë të zhdukur dhe zgjidhja e çështjeve pronësore të familjeve kroate në Tivatin dhe Gjirin e Kotorrit.
Kroacia kërkon gjithashtu kthimin e anijes “Jadran”, të cilën e konsideron pronë të saj, si dhe përparim në përcaktimin e kufirit tokësor dhe detar.
Zagrebi thekson se zgjidhja e këtyre çështjeve është e rëndësishme për sigurimin e mbështetjes politike dhe parlamentare në Kroaci për ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Mali i Zi, i cili synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026, ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt negociues.
Megjithatë, përparimi në procesin e anëtarësimit kërkon miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, çka i jep Kroacisë mundësinë të kushtëzojë mbështetjen e saj me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Pavarësisht kërkesave, Zagrebi deklaron se mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në BE, por insiston që çështjet e hapura të zgjidhen përpara anëtarësimit.









