SPANJA “KUNDËR” IZRAELIT: BE TË PEZULLOJË MARRËVESHJEN TREGTARE

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez u ka kërkuar anëtarëve të Bashkimit Europian që t’i përgjigjen kërkesave te Madridit e Irlandës dhe të pezullojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë të bllokut me Izraelin për shkak të veprimeve të tij në Gaza e Liban.

Për muaj me radhë tashmë, Spanja dhe Irlanda kanë qenë në bisedime me vendet e tjera të bllokut për rishikimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael me arsyetimin se shteti hebre mund të shkelë klauzolën e të drejtave të njeriut të marrëveshjes. Ministri i Jashtëm irlandez Micheal Martin e ka akuzuar Tel Avivin se po përpiqet ta ndalojë botën që të shohë se çfarë po bëjnë realisht trupat e tij në Liban dhe Gaza.

I pyetur se përse Izraeli po kërkon që  paqeruajtësit e OKB-së të largohen nga bazat e tyre në kufirin e tij me Libanin Martin tha se në thelb “kjo synon që të mbyllen sytë dhe veshët e botës nga Libani i Jugut dhe ai në këtë mënyrë, t`i japë vetes dorë të lirë në rajon”. Kryeministri spanjoll Sanchez e dënoi këtë kërkesë të Benjamin Netanyhut e tha se paqeruajtësit nuk kanë për të lëvizur nga jugu i Libanit.

“Nuk do të ketë tërheqje të UNIFIL-it nga Libani, sepse ne kemi angazhimin tonë ndaj ligjshmërisë ndërkombëtare mbi parimet e Rezolutës 1701, dhe sot, pasi kemi parë se cfarë po ndodh në terren, ajo merr më shumë kuptim se kurrë”, tha Kryeministri.

Forcat UNIFIL janë sulmuar në mënyrë të përsëritur nga Izraeli gjatë javës së fundit, kujtoi Sanchez. Netanyahu, i ka bërë thirrje shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të dielën që t’i largojë paqeruajtësit e angazhuar në jug të Libanit, me pretendimin se Hezbollahu po i shfrytëzon si “mburoja njerëzore”.

SHARE