Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit të Shqipërisë, do të organizojë në Podgoricë ekspozitën personale “My City” të piktorit të njohur shqiptar Arben Golemi.
Ekspozita do të hapet më 19 shtator 2026, në orën 20:00, në ambientet e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi, në rrugën Marka Miljanova 2 në Podgoricë, dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 26 shtator 2026.
Arben Golemi është një nga emrat e spikatur të artit bashkëkohor shqiptar, me një krijimtari të prezantuar gjerësisht në Shqipëri dhe jashtë saj.
Veprat e tij karakterizohen nga një gjuhë artistike e veçantë, përdorimi ekspresiv i ngjyrave dhe kompozime dinamike, në të cilat ndërthuren arkitektura, peizazhi urban, trashëgimia kulturore dhe elemente të natyrës shqiptare.
Përmes ekspozitës “My City”, publiku në Mal të Zi do të ketë mundësinë të njihet me një përzgjedhje veprash që pasqyrojnë marrëdhënien e artistit me qytetin, hapësirën dhe identitetin. Punimet ndërthurin kujtesën, arkitekturën dhe realitetin bashkëkohor, duke sjellë një qasje të veçantë artistike ndaj hapësirës urbane dhe përvojës njerëzore.
Organizimi i ekspozitës në Podgoricë, në një vit jubilar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, vë në pah rëndësinë e artit dhe kulturës si ura natyrore afrimi dhe dialogu ndërmjet dy vendeve. Aktiviteti synon gjithashtu të promovojë artin shqiptar në Mal të Zi dhe të forcojë shkëmbimet kulturore e artistike ndërmjet dy shoqërive.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve, trupin diplomatik, komunitetin artistik, mediat dhe publikun e gjerë të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.








