RESHJE REKORD NË JAPONI, TË PAKTËN GJASHTË TË VDEKUR

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur nga reshjet rekord që kanë goditur prefekturën Chiba, në lindje të Japonisë, pranë Tokios.

Reshjet e dendura, të cilat autoritetet i kanë cilësuar si të paprecedenta, kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Më shumë se 20 mijë familje kanë mbetur pa energji, ndërsa rreth 7 mijë pasagjerë janë bllokuar gjatë natës në aeroportin ndërkombëtar të Naritës për shkak të ndërprerjeve të transportit.

Në disa zona të Chibas janë regjistruar mbi 360 milimetra reshje brenda 24 orëve, duke përmbytur rrugë dhe hekurudha.

Mes viktimave është edhe një grua, automjeti i së cilës u përfshi nga ujërat në një rrugë të përmbytur. Dy persona të tjerë u rrëzuan në rrugë dhe më pas humbën jetën.

Guvernatori i Chibas, Toshihito Kumagai, e cilësoi situatën jashtëzakonisht të pazakontë edhe për standardet e motit në Japoni. Autoritetet kishin ngritur të enjten nivelin më të lartë të alarmit për emergjencat, ndërsa të premten në mëngjes alarmi u ul në nivelin e katërt.

Megjithatë, paralajmërimet për përmbytje dhe rrëshqitje dherash mbeten në fuqi. Reshjet kanë shkaktuar ndërprerje të shumta në transport.

Disa linja hekurudhore janë ende të pezulluara, ndërsa disa autostrada kryesore janë mbyllur.

Në aeroportin e Naritës, rreth 7 mijë udhëtarë u detyruan të kalonin natën në terminale. Stafi u shpërndau atyre batanije, ujë dhe ushqime. Aeroporti ka njoftuar se fluturimet e së premtes pritet të zhvillohen normalisht, megjithëse janë të mundshme vonesa.

Mijëra persona janë evakuuar dhe kanë kërkuar strehim të përkohshëm, ndërsa qindra banorë kanë kaluar natën në ndërtesa qeveritare.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë shpjegoi se reshjet e jashtëzakonshme janë shkaktuar nga përplasja e masave të ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me ajrin e ftohtë mbi pjesën lindore të vendit.

Reshjet e dendura pritet të vazhdojnë deri vonë të premten, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe shërbimet e emergjencave vijojnë operacionet në zonat më të prekura.

SHARE