Ajo është një nga këngëtaret shqiptare më të suksesshme në tregun ndërkombëtar të muzikës.
Rita Ora e nisi rrugëtimin e saj artistik në vitin 2012 me hitin “Hot Right Now”, duke u ngjitur e para në klasifikimet e këngëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Që nga ajo kohë, Rita ka qenë e pandalshme dhe bashkë me të edhe sukseset e saj të njëpasnjëshme.
Statistikat e fundit tregojnë se ajo sapo ka shënuar shifrën e 10 miliardë dëgjimeve në tërësi, në platformat YouTube dhe Spotify.
E lumtur për suksesin, 31-vjeçarja shpërndau për fansat e saj në InstaStory një njoftim të bërë nga faqet e fansave, të cilat pasqyronin suksesin në fjalë.
Rita ka një karrierë të suksesshme muzike në tregun internacional, me dy albume të nxjerra në treg, një mini-album (EP), si dhe disa çmime të fituara.
Viteve të fundit, ajo e ka përqendruar karrierën e saj më shumë në aktrim dhe modë. /Telegrafi/