Foto: RTNK
Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi, Vojisllav Shimun, ka deklaruar në Budvë se lufta kundër sëmundjeve malinje përbën një nga sfidat më të mëdha të sistemeve moderne shëndetësore, gjatë hapjes së Kongresit të III të Shoqatës së Onkologëve të Malit të Zi.
Ai rikujtoi Programin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve malinje për periudhën 2026–2028, të miratuar nga Qeveria, i cili synon jo vetëm uljen e incidencës dhe vdekshmërisë, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, në përputhje me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nismat evropiane.
Në kongres u theksua gjithashtu modernizimi i sistemit shëndetësor onkologjik, përfshirë ndërtimin e Klinikës së re për hematologji në QKMZ, si dhe futjen e teknologjive të reja diagnostike dhe terapeutike si PET-CT, MRI dhe pajisje për brahiterapi më të avancuar.
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan se Mali i Zi është mirë i pozicionuar në zbatimin e planeve evropiane për kontrollin e kancerit, ndërsa u theksua rëndësia e projekteve për parandalim primar dhe edukim shëndetësor të popullatës.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Onkologëve theksuan se përmes bashkëpunimit me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë synohet përmirësimi i të gjitha segmenteve të shërbimit onkologjik dhe zgjidhja e problemeve reale të pacientëve në Mal të Zi.










