GJELOSHAJ: PËRMES MBËSHTETJES SË EKONOMISË DHE ZEJTARISË VAZHDOJMË TË FORCOJMË EKONOMINË E MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen e saj të 126-të të mbajtur sot, miratoi Programin për avancimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë për vitin 2026, si dhe Programin për zhvillimin dhe promovimin e zejtarisë për vitin 2026.

“Këto programe janë dëshmuar si shumë të suksesshme dhe si modele konkrete mbështetjeje, si në krijimin e një ekonomie më rezistente, më konkurruese dhe të orientuar drejt eksportit, ashtu edhe në nxitjen e zhvillimit të zejtarëve malazezë”, deklaroi zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Buxheti i përgjithshëm për zbatimin e Programit për avancimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë arrin në 3.500.000 euro, ndërsa buxheti për Programin për zhvillimin dhe promovimin e zejtarisë është 380.000 euro.

Gjeloshaj theksoi se rezultatet shumë të mira të zbatimit dhe realizimit të të dy programeve japin një shtysë shtesë për të vazhduar mbështetjen ndaj ekonomisë vendore dhe zejtarëve.

“Vetëm përmes mbështetjes së prodhuesve vendorë dhe zejtarëve është e mundur të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria, si dhe të nxitet sipërmarrja, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë, gjë që në fund kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e shtetit”, deklaroi Gjeloshaj.

SHARE