DUKAJ: QEVERIA MIRATOI LIGJIN PËR VETËQEVERISJEN LOKALE DHE REFORMËN E DECENTRALIZIMIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen e saj të 126-të, miratoi Propozimligjin për vetëqeverisjen lokale, i cili konsiderohet një nga ligjet më të rëndësishme reformuese në fushën e administratës publike dhe decentralizimit në vitet e fundit.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi se ligji është hartuar pas më shumë se tre vitesh konsultimesh dhe dialogu, duke u harmonizuar me standardet evropiane dhe nevojat reale të komunave në Mal të Zi. Sipas tij, qëllimi kryesor i reformës është që komunat të kenë më shumë kompetenca, përgjegjësi dhe autonomi në vendimmarrje, në mënyrë që të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të komuniteteve lokale.

Nga Ministria e Administratës Publike theksohet se ligji nuk përfaqëson vetëm një ndryshim administrativ, por krijon një model të ri të funksionimit të shtetit, ku pushteti lokal do të ketë rol më të fuqishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Ndër risitë kryesore të ligjit janë forcimi i parimit të decentralizimit, krijimi i statusit të qytetit si njësi e vetëqeverisjes lokale, mundësia për decentralizim asimetrik për komunat me kapacitete më të mëdha, si dhe përfshirja më e madhe e qytetarëve në proceset vendimmarrëse përmes iniciativave qytetare, debateve publike dhe pjesëmarrjes elektronike.

Ligji gjithashtu parasheh digjitalizimin e administratës lokale, krijimin e sistemeve informative për monitorimin e punës së komunave dhe themelimin e shërbimeve për integrimet evropiane në nivel lokal.

Sipas Dukajt, decentralizimi nuk e dobëson shtetin, por e bën atë më efikas, më transparent dhe më të afërt me qytetarët. Propozimligji tani do të procedohet në Kuvendin e Malit të Zi, ku pritet të zhvillohet debat më i gjerë mbi zgjidhjet e propozuara.

SHARE