Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka thënë të hënën në Beograd se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, duhet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian, të përmirësojë demokracinë si dhe sundimin e ligjit.
Ai ka thënë se shpreson që Serbia dhe vendet tjera në rajon, të jenë pjesë e BE-së deri në fund të mandatit të legjislaturës së re të Komisionit Evropian, nëse i zbatojnë të gjitha reformat e domosdoshme.
“Është e qartë që dera është e hapur. BE-ja është gati për të pranuar anëtarë të rinj. Brenda pesë vjetëve, po. Është krejtësisht e mundshme”, ka thënë Varhelyi më 13 maj, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në diskutimet me Vuçiqin, tema kryesore ka qenë Plani i BE-së për Rritje Ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo Varhelyi e ka përmendur edhe rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, për të cilën planifikohet të diskutohet në Kombet e Bashkuara.
“Nuk pajtohem aspak me stigmatizimin e popullit serb kur është fjala për rezolutën për Srebrenicën. Faji kolektiv dhe ndëshkimi kolektiv nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e vlerave tona. Mirëpo, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë”, ka thënë Varhelyi.
Ai ka thënë se ndihma financiare e Brukselit përmes Planit të Rritjes, është e rëndësishme për Beogradin, dhe që pret se Serbia do të jetë pjesë e BE-së në të njëjtën kohë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Varhelyi, në anën tjetër, ka thënë se shtyn përpara idenë që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE edhe para anëtarësimit të plotë të rajonit në bllokun evropian.