Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, theksoi se Bashkimi Evropian (BE) nuk do të tolerojë në mesin e anëtarëve të tij, këdo që përpiqet të mohojë gjenocidin, të relativizojë gjenocidin ose të përpiqet të glorifikojë kriminelët e luftës.
I pyetur nga një gazetar në Bruksel për qëndrimin e BE-së kur bëhet fjalë për miratimin e Rezolutës së Srebrenicës në OKB dhe çfarë pritet në këtë drejtim nga kandidatët kryesorë, Mali i Zi dhe Serbia, Stano vuri në dukje se të gjithë aktorët në Ballkanin Perëndimor pritet të përmbahen nga retorika që mund të hedhë dyshime mbi arritjet e tyre evropiane.
“Kjo është diçka që ne ua përcjellim vendeve dhe partnerëve që duan të bëhen pjesë e Evropës, pjesë e Bashkimit Evropian, që presim që të gjithë aktorët politikë në Ballkanin Perëndimor të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të vërë në dyshim arritjet e tyre evropiane dhe që mund të shihet si një mohim i gjërave të tmerrshme që kanë ndodhur në Srebrenicë”, tha Stano.
Stano thekson se BE-ja vazhdimisht thekson se nuk ka dyshim se gjenocid ka ndodhur në Srebrenicë, gjë që është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.
“Pra, të gjithë duhet ta pranojnë dhe të gjithë duhet ta respektojnë. Dhe kushdo që përpiqet të vë në mëdyshje këtë nuk ka vend në Evropë”, tha Stano.