Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit nuk do të shtyhen. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit nuk do të shtyhen.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e bëri të qartë se shtyrja e mëparshme e votimeve u krye në marrëveshje me ndërkombëtarët për shkak të situatës delikate në ato momente në zonat në fjalë.
Por pavarësisht sinjaleve për bojkotim të votimeve që mbërrijnë nga serbët në veri, autoritetet kosovare duken mjaft të vendosura për këtë çështje.
“Mendoj që shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme. Së pari ajo çfarë duhet të bëjmë është që të sigurohemi se secili institucion po e kryen detyrën e vet sipas detyrimeve kushtetuese. E pastaj kur i marrim rezultatet zgjedhore, atëherë do të shihet dhe do të hyjmë në një etapë tjetër. Por këtë etapë nuk mund ta paragjykojmë para 23 prillit”, u shpreh Konjufca.
Kreu i legjislativit bëri thirrje për qetësi në veri, ku sipas tij, rreziku i destabilizimit të situatës mbetet i lartë.
“Tani kemi nevojë për qetësi dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë që të mos bien pre e veprimeve të cilat mendoj që dirigjohen, jo brenda Kosovës, por kryesisht në anën tjetër, pra nga Serbia…. Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Me qëllim që të delegjitimohet i gjithë procesi, që edhe në anën tjetër të krijohet përshtypja e rrejshme por me mjete të dhunshme që pa Listën Serbe edhe pa këto struktura nuk ka qetësi dhe paqe në pjesën e veriut të Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Konjufca ua bëri të qartë më tej serbëve se pa pjesëmarrjen e partive politike të tyre në zgjedhjet e 23 prillit, nuk do të ketë formim të Asociacionit.
KQZ miraton 19 qendra të votimit në veri, 13 prej tyre alternative
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) ka miratuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara më shumicë serbe, në veri të Kosovës.
Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqit.
Në këto komuna do hapen 19 qendra të votimit.
Prej tyre, 13 do të jenë alternative apo në kontejnerë. Vendimi për këto qendra u miratua nga KQZ-ja, me tetë vota për dhe një abstenim, në mbledhjen që ky institucion ka mbajtur të premten.