‘NUK PËRJASHTOHET MUNDËSIA E LUFTËS’ / KOSOVA APEL QYTETARËVE: IKNI SA MË PARË NGA UKRAINA

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 13 shkurt u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që “të largohen sa më parë nga Ukraina” në mesin e frikës për një pushtim nga Rusia. Në njoftimin e MPJD-së u tha se duke parë tensionet në mes dy shteteve, “tashmë nuk mund të përjashtohet fillimi i një konflikti të hapur të armatosur”. Në njoftim është dhënë edhe një numër kontakti e një adresë e-maili ku qytetarët e republikës së kosovës mund të kontaktojnë për informacione apo ndihmë. Ministria nuk ka bërë të ditur se sa është numri i qytetarëve kosovarë në Ukrainë. Në rajonin e ballkanit, edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Ukraina po ashtu. Të njëjtën gjë nuk e ka bërë ende Bosnje Hercegovina ndërsa Serbia ka rekomanduar shtetasit e saj që gjenden në Ukrainë që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga ky shtet. Deri më tani vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Estonia, Suedia, Norvegjia e Holanda, gjithashtu u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina. SHBA-ja, Australia dhe Kanadaja kanë paralajmëruar evakuimin e ambasadave të tyre në Kiev. Ditëve të fundit, Uashingtoni ka shtuar paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se mund të ndodhë në çdo moment.

SHARE