KËTË MUAJ MBAHET TAKIMI I RADHËS NË BRUKSEL PËR TARGAT E AUTOMJETEVE, OPTIMIZËM PËR MARRËVESHJE

Këtë muaj do të takohen për herë të pestë në Bruksel grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve. Rreth një muaj para përfundimit të afatit gjashtëmujor të marrëveshjes për “stikersat” ka optimizëm për arritjen e një ujdie të re. Në Qeverinë e Kosovës thonë se presin një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane. Kurse nga Bashkimi Evropian deklarojnë se takimi i fundit i grupit punues ka krijuar më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon. Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, tha për KosovaPress se në katër takimet e kaluara janë diskutuar propozime dhe argumentime për modele të zgjidhjes se cila do të jetë e pranueshme për të dy palët. Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se grupi punues po mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda afatit të paracaktuar e që është 6 muaj nga takimi i parë më 21 tetor 2021. Nga ana tjetër, më skeptike për një marrëveshje finale për targat është Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Njohësja e procesit të dialogut thotë për KosovaPress se shpeshherë në dialogun me Serbinë nuk janë respektuar afatet e parapara. Sipas saj, ujdinë për targat mund ta pamundësojnë edhe zgjedhjet në Serbi.

SHARE