FAMILJA ABAZOVIQ I DHUROI QENDRËS SHËNDETËSORE TË ULQINIT NJË SKANER CT

Që nga sot, Qendra Shëndetësore e Ulqinit ka një CT skaner në vlerë prej 300 mijë euro. Bëhet fjalë për donacion nga familja Abazoviq, e cila i ka dhuruar Qendrës Shëndetësore mjete të grumbulluara më parë për trajtimin e djalit të tyre, i cili ka ndërruar jetë dy vite më parë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Me atë rast, Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq dhe ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq kanë vizituar sot Shtëpinë Shëndetësore të Ulqinit. Ministrja vlerësoi se kjo është një ditë e madhe për sistemin shëndetësor në Ulqin dhe për të gjithë qytetarët e tij.  “Nga sot mund të mburremi se qytetarët e Ulqinit e kanë standardin e artë në diagnostifikim, e ai është aparati më modern i skanerit, i cili tani gjendet në Shtëpinë e Shëndetit të Ulqinit falë humanizmit të madh dhe gjestit të madh njerëzor të familjes Abazoviq, i cili dhuroi mjete për këtë skaner”, tha Boroviniq Bojoviq.  Zëvendëskryeministri Abazoviq ka vlerësuar se kjo është një ditë historike për Ulqinin. “Ndajmë gëzimin dhe dhimbjen sot në Ulqin, me mirënjohje të madhe për ministren Boroviniq Bojoviq dhe ekipin e saj, ekipin e Shtëpisë Shëndetësore të Ulqinit, të udhëhequr nga drejtoresha Sadije Hollaj. Ne ia dolëm qëllimit të familjes Abazoviq dhe vëllait tim Allmirit që më në fund të instalojmë dhe vendosim një skaner në Ulqin”, tha Abazoviq. Drejtoresha e Shtëpisë Shëndetësore të Ulqinit, dr. Sadije Hollaj, theksoi se ky donacion është një hap më afër kompletimit të shërbimit shëndetësor më modern. “Jemi të lumtur që kemi mundësinë që këto procedura t’i ofrojmë edhe në qytetin tonë, sepse do t’ua lehtësojmë të gjithëve barrën e udhëtimit në institucionet jashtë Ulqinit”, tha Hollaj.

SHARE