KANCELARI GJERMAN MESAZH GREQISË / ‘TË HIQET VETOJA NDAJ SHQIPËRISË, DËMTOHET ZGJERIMI’

Kancelari gjerman, Olaf Scholtz i doli në krah Shqipërisë për çeljen e kapitujve të parë të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Duke mbajtur në konsideratë rrezikun për veton greke, në prag të samitit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, kancelari foli nga Parlamenti Europian, ku kërkoi që të mos ishte e nevojshme dakordësia unanime e 27 vendeve të BE për këtë proces.

“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë“, tha ai.

Mesazhet e kancelarit socialdemokrat u nisën në adresë të Athinës, e ciila ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë, pa u zgjidhur çështja Beleri.

Ndërsa për Greqinë, kjo është një çështje që ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave, për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësht.

Një qëndrim, të cilin kancelari gjerman Scholz, e theksoi edhe disa javë më parë gjatë vizitës së kryeminstrit grek, Micotakis në Berlin.

SHARE