HOVENIER: FORMIMI I ASOCIACIONIT, DETYRIM

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier deklaroi se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia perëndimore mund të ketë hapësirë për përmirësime.

Megjithatë, sipas tij, procesi i krijimit të kësaj bashkësie jo vetëm duhet të ndodhë, por ai edhe duhet të ecë përpara me shpejtësi.

“Nuk mund të bllokohemi në specifika dhe të humbasim momentin e rëndësinë e hapave përpara në themelimin e Asociacionit”, u shpreh ai.

“Fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft”, shtoi ai, duke nënvizuar se qëndrimi amerikan në lidhje me Asociacionin, nuk ka ndryshuar.

“SHBA-ja beson se është detyrim për Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asocacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës ,” tha ambsadori.

Shqetësimi kryesor i Hovenierit ishte në lidhje me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave ndaj Asociacionit. Për këtë arsye, dhe nënvizoi se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë.

Në fund të tetorit, krerët e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Europian zhvilluan takime të vecanta në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me në focus normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës. Kurti tha se ishte i gatshëm ta firmoste propozimin megjithatë, por ishte Vuçiqi sipas tij, që refuzoi ta nënshkruante.

SHARE