BE-ja E DËNON HAMASIN PËR PËRDORIMIN E SPITALEVE DHE CIVILËVE SI “MBUROJA NJERËZORE”

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) e kanë dënuar të hënën grupin radikal palestinez, Hamas – të cilin e kanë shpallur organizatë terroriste – për, siç thanë, përdorimin e spitaleve dhe civilëve “si mburoja njerëzore” në luftë kundër Izraelit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të hënën se, në të njëjtën kohë, blloku i kërkon Izraelit “të vetëpërmbahet maksimalisht në mënyrë që ta shmangë shkaktimin e viktimave në mesin e civilëve”.

Në një takim me ministrat e Jashtëm të bllokut, Borrelli e cilësoi deklaratën të cilën e lëshoi në emër të të gjitha 27 vendeve si shenjë e unitetit, pasi tash e sa javë ka pasur shpesh deklarata kundërthënëse për atë se si duhet BE-ja t’i adresohet luftës Izrael-Hamas.

“Ju e dini sa e vështirë ka qenë kohëve të fundit – pas votimit në Kombet e Bashkuara, ku vendet votuan në mënyra të ndryshme – për ta paraqitur një qasje plotësisht të përbashkët”, tha Borrell.

Vetëm pak orë pasi liderët e BE-së thanë se ka unitet për luftën Izrael-Hamas më 28 tetor, shtetet anëtare ishin plotësisht të ndara gjatë një votimi për një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme që bënte thirrje për armëpushime humanitare në Gazë.

Tani, megjithatë, vendet e BE-së thanë në një komunikatë se iu bashkohen “thirrjeve për pauza të menjëhershme në luftime dhe për korridore humanitare, përfshirë përmes kapacitetit të shtuar në pikëkalime dhe përmes një rruge të dedikuar detare, në mënyrë që ndihmat humanitare të arrijnë sigurt te populli i Gazës”.

Ato, po ashtu, i përsëritën “thirrje që Hamasi t’i lirojë menjëherë dhe pakushte të gjitha pengjet”.

Dhe thanë se “BE-ja e dënon përdorimin e spitaleve dhe civilëve si mburoja njerëzore nga Hamasi”.

SHARE