Shqipëria është asociuar zyrtarisht me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike, duke forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në mbrojtjen e proceseve demokratike dhe luftën kundër ndërhyrjeve të huaja në informacion.
Vendimi u mor në Luksemburg, gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku mori pjesë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Nisma synon të përfshijë vendet partnere dhe kandidate në përpjekjet për të luftuar manipulimin e informacionit dhe kërcënimet ndaj demokracisë.
Hoxha e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se vendi ka fituar përvojë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Ai paralajmëroi se ndërhyrjet e huaja në informacion nuk kërcënojnë vetëm institucionet, por edhe besimin e qytetarëve dhe themelet e debatit demokratik.
Sipas Hoxhës, bashkëpunimi mes vendeve anëtare dhe atyre kandidate është thelbësor për mbrojtjen e demokracisë, ndërsa theksoi se qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë të pandashme.








