SHIROKA-PULA KËRKON RIKTHIMIN E DIALOGUT STRATEGJIK ME SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025.

Kërkesën e ka bërë gjatë takimit me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, duke theksuar rëndësinë e dialogut për forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Sipas Ambasadës amerikane në Kosovë, senatorët janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. SHBA-ja e kishte pezulluar dialogun, duke përmendur veprimet e Qeverisë së atëhershme ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe vështirësuar bashkëpunimin.

Rifillimi i dialogut, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, varet nga krijimi i kushteve të nevojshme dhe përmbushja e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb, përfshirë obligimet që dalin nga marrëveshjet me Serbinë.

Kosova, ndërkaq, kërkon reciprocitet në zbatimin e marrëveshjeve, duke insistuar që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023.

Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet synim parësor i Kosovës dhe se mbështetja amerikane është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, presidentja i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, e para që nga fillimi i mandatit të saj.

SHARE