Bashkimi Evropian ka vendosur të kufizojë importin e automjeteve hibride plug-in nga Kina, me qëllim mbrojtjen e prodhuesve evropianë nga konkurrenca kineze.
Sipas marrëveshjes së arritur mes Brukselit dhe Pekinit, në tregun evropian do të lejohen fillimisht deri në 350 mijë automjete të tilla në vit, më shumë se gjysma më pak krahasuar me importet e parashikuara aktualisht.
Sipas Komisionit Evropian, shitjet e automjeteve hibride plug-in kineze në BE mund të arrijnë rreth 800 mijë njësi këtë vit.
Kufizimi do të rritet me 6 për qind në vit dhe do të jetë në fuqi për katër vjet, ndërsa masat e para pritet të zbatohen nga fillimi i dhjetorit.
Vendimi do të prekë të gjitha automjetet hibride plug-in të prodhuara në Kinë, përfshirë edhe ato të kompanive evropiane që kanë fabrika atje.
Ndërkohë, prodhuesit kinezë që prodhojnë automjete në vende të tjera, si Turqia, nuk do të preken nga ky kufizim.
Marrëveshja përfshin gjithashtu zotimin e Kinës për të ulur tarifat doganore për disa produkte evropiane dhe për të lehtësuar procedurat e eksportit të metaleve të rralla dhe magnetëve, të rëndësishëm për industrinë evropiane.
Ndërkohë, BE-ja po shqyrton masa të reja për të zvogëluar varësinë nga Kina për lëndët e para dhe komponentët industrialë, në një kohë kur tensionet tregtare mes dy palëve vazhdojnë të rriten.









