LISTA SERBE E GATSHME PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJET LOKALE NË VERI TË KOSOVËS

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shpallin sa më parë zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në katër komunat me shumicë serbe në veri duke shprehur gatishmëri për pjesëmarrje në to.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një konferencë për media ka thënë se “tani topi është në anën e Prishtinës”.

“Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këta këshilltarë komunal të rremë, joligjor dhe jolegjitim, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë”, është shprehur Rakiq.

Ai ka thënë se vendimet politike të Listës Serbe janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.

“Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani”, theksoi Rakiq.

Ai shtoi se kjo është arsyeja pse po i kërkojnë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës “sa më shpejt të jetë e mundur”.

SHARE