Sot është hapur shkolla fillore e rikonstruktuar në Dacaj – Rozhajë.
Viti i ardhshëm do të jetë viti në të cilin do të investohet më së shumti në infrastrukturën arsimore në historinë e Malit të Zi.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri Dritan Abazoviq, i cili së bashku me ministrin Miomir Vojinoviq kanë hapur shkollën fillore të rikonstruktuar “Dacaj” në Rozhajë.
Abazoviq tha se kjo shkollë mbart simbolikë historike.
Ai shpjegoi se kjo është e vetmja shkollë në Rozhajë që mësohet në gjuhën shqipe.
Ai bëri të ditur se punimet kapin vlerën e rreth 250 mijë eurove, kurse në shkollë vijojnë mësimet 23 nxënës.
“Besoj se ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha në arsimin e gjithë Malit të Zi. Veriu nuk do të anashkalohet, por do të jetë në fokus. Viti i ardhshëm do të jetë viti në të cilin do të investohet më së shumti në infrastrukturën arsimore në historinë e Malit të Zi”, tha kryeministri.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në hapjen e shkollës fillore të rinovuar në Dacaj, ndër të tjera tha: “Jam jashtëzakonisht i kënaqur që sot më në fund kam rastin t’i përgëzoj nxënësit dhe mësimdhënësit, por edhe të gjithë qytetarët e Dacajve, për kushte më të mira shkollore me të cilat fëmijët do të kenë kushte të shkëlqyera për të përvetësuar mësime të reja arsimore dhe jetësore”.
“Kjo është arritja e një qëllimi për të cilin jam përkushtuar sinqerisht që nga viti 2015 si ndihmës ministër i Arsimit”, tha ministri Dukaj.