Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se rruga evropiane duhet të mbetet objektiv i përbashkët i të gjitha forcave politike, duke theksuar se serioziteti i marrëveshjes mes pushtetit dhe një pjese të opozitës do të matet me përmbushjen e obligimeve dhe respektimin e afateve.
Në një intervistë për agjencinë MINA, me rastin e 13 Korrikut – Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi, Millatoviq tha se vendi ka një mundësi historike për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe se kjo mundësi nuk duhet humbur.
Ai vlerësoi se marrëveshja politike është një hap pozitiv për avancimin e reformave evropiane, por theksoi se ajo nuk është garanci në vetvete.
Sipas tij, Mali i Zi duhet të përqendrohet te reformat kyçe, si ndryshimi i legjislacionit zgjedhor, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, reforma në drejtësi dhe funksionimi më efikas i institucioneve.
Millatoviq u shpreh optimist se Mali i Zi mund t’i mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit 2026, nëse të gjitha subjektet politike mbeten të përkushtuara ndaj agjendës evropiane.
Ai rikujtoi se në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, vendi mori mbështetje të fortë për t’u bërë anëtar i BE-së deri në vitin 2028. Presidenti theksoi se pengesa kryesore në rrugën drejt BE-së nuk është mungesa e njohurive për reformat, por humbja e kohës për shkak të përllogaritjeve partiake.
Ai bëri thirrje që interesat shtetërore të vendosen mbi ato politike, duke shtuar se reformat evropiane realizohen për qytetarët e Malit të Zi dhe jo vetëm për Brukselin.









