Mali i Zi shënon sot Ditën e Shtetësisë, në kujtim të 13 korrikut 1878, kur në Kongresin e Berlinit iu njoh pavarësia si shtet i pavarur, si dhe të 13 korrikut 1941, kur nisi kryengritja e përgjithshme popullore kundër fashizmit.
Kjo datë konsiderohet një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit, pasi simbolizon njëkohësisht njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së Malit të Zi dhe fillimin e rezistencës antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryengritja e 13 korrikut 1941 shënoi fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila, përmes vendimeve të rëndësishme politike, hapi rrugën për rivendosjen e shtetësisë së Malit të Zi.
Shtetësia ishte shuar në vitin 1918, pas bashkimit të vendit me Serbinë, përkatësisht me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më vonë u shndërrua në Jugosllavi.
Në fund të vitit 1944, në Kuvendin Antifashist të Malit të Zi, të mbajtur në Kollashin, u miratua vendimi që Mali i Zi të kishte statusin e një prej njësive federale të Jugosllavisë së ardhshme federative.









