INFLACIONI NË MAL TË ZI ARRITI NË 3,6 PËR QIND NË MUAJIN QERSHOR

Foto: Ilustrim

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal në Mal të Zi, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, ishin mesatarisht 3,6 për qind më të larta në qershor të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Monstat. 

Krahasuar me muajin maj, çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 0,4 për qind.

Sipas Monstatit, ndikimin më të madh në rritjen mujore të inflacionit e patën shtrenjtimi i shërbimeve të akomodimit, mishit dhe nënprodukteve të tij, qumështit, produkteve të tjera të bulmetit dhe vezëve, shërbimeve të restoranteve dhe kafeneve, shërbimeve stomatologjike, transportit ajror të udhëtarëve, si dhe frutave, arrorëve, perimeve dhe bishtajoreve.

Në periudhën janar–qershor, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 3,3 për qind më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas grupeve kryesore të produkteve dhe shërbimeve, në qershor u regjistrua rritje e çmimeve në restorante dhe shërbimet e akomodimit me 3,3 për qind, në sektorin e shëndetësisë me 1,9 për qind, te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1 për qind, te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 0,5 për qind, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 0,2 për qind.

Çmime më të larta u regjistruan edhe në informacion dhe komunikim, si dhe në rekreacion, sport dhe kulturë, me nga 0,1 për qind.

Nga ana tjetër, ulje e çmimeve u shënua te veshjet dhe këpucët me 2,2 për qind, mobiliet dhe mirëmbajtja e banesës me 0,5 për qind, transporti me 0,2 për qind, si dhe te banimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe energjentët e tjerë me 0,1 për qind.

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera nuk pësuan ndryshime të ndjeshme.

SHARE