DUKE ANALIZUAR BURIMET NJERËZORE, MALI I ZI MË I GATSHËM NË RRUGËN DREJT BE-së

Qeveria e Malit të Zi miratoi informacionin për miratimin e programit “Gati për BE – Ready for EU”, i cili përfshin një analizë gjithëpërfshirëse të trajnimit të burimeve njerëzore, në mënyrë që Mali i Zi të jetë i gatshëm për të qenë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, tha ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

Siç theksoi ai, programi është i rëndësishëm për Malin e Zi në aspektin e kapaciteteve njerëzore.

“Ne e kemi përgatitur këtë program për një periudhë të konsiderueshme kohore. Kjo nënkupton që për 6 module do të kemi një analizë gjithëpërfshirëse dhe trajnim të burimeve njerëzore në mënyrë që Mali i Zi të jetë i gatshëm për të qenë anëtar i BE-së”, tha Dukaj.

Ky, siç tha ministri, është një tregues se Mali i Zi po planifikon seriozisht rrugën e tij drejt BE-së.

“Një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve tanë, nëpunësve civilë dhe punonjësve shtetërorë do të dërgohen në institucionet e Brukselit”, tha ai.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha se është ngritur pyetja se çfarë duhet bërë pas IBAR-it.

“Si një nga problemet kryesore janë investimet në burimet njerëzore dhe për këtë arsye, së bashku me Ministrinë e Administratës Publike, Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe ReSPA-n, kemi ardhur në idenë e hartimit të një programi të ri, me qëllim trajnimin e nëpunësve dhe punonjësve civilë për punë në institucione në momentin që Mali i Zi bëhet anëtar i BE-së”, deklaroi ajo.

Gorçeviq tha se programi, i cili përfshin një analizë gjithëpërfshirëse të trajnimit të burimeve njerëzore, është i vetmi në rajon me përmbajtje të tillë, i destinuar për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Agron Camaj, shpjegoi se me krijimin e programit të trajnimit për përvetësimin e njohurive dhe aftësive për punë në institucione, organe dhe agjenci të Bashkimit Evropian, Drejtoria e Burimeve Njerëzore po bën hapa të rëndësishëm drejt modernizimit dhe profesionalizimit të administratës shtetërore.

„Ky program do të jetë një mundësi për të zhvilluar burimet njerëzore që do të përfaqësojnë vendin tonë në misionin aktual të Malit të Zi në BE,“ tha Camaj.

Ai theksoi se trajnimet do të zgjasin rreth një muaj dhe se së shpejti do të shpallen thirrjet publike për ligjërues.

SHARE