FEDERATA PANSHQIPTARE “VATRA” SHËNOI 110 VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ

Federata Panshqiptare “Vatra” shënoi 110 vjetorin e themelimit të saj.  

Në një ceremoni organizuar për nder të këtij përvjetori kryetari i kësaj organziate, Elmi Berisha numëroi kauzat kryesore për të cilat është angazhuar kjo organizatë e vjetër shqiptare në SHBA, ndërsa u shpreh se angazhimi për çështjet shqiptare në Ballkan nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.  Në ceremoninë e mbajtur në qendrën kulturore shqiptare “Illyria” në Bronks të Nju Jorkut, i pranishëm ishte Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Meta foli mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të misionit të “Vatrës” për të tejkaluar sfidat me të cilat përballen sot shqiptarët në rajon. „Shumë i lumtur të ndodhem në New York, mes qindra bashkëkombasve nga të gjitha trevat shqiptare, për të festuar me madhështinë që meriton, 110-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, historinë më të suksesshme të organizimit të shqiptarëve jashtë vendit. Përmes veprimtarisë patriotike, kombëtare dhe diplomatike, “Vatra”, që ditën e parë u bë promotore e lëvizjeve kombëtare dhe e shpalljes së pavarësisë, për të patur më pas ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Shqipërisë. Gjatë diktaturës komuniste “Vatra” ishte shtëpia e shqiptarëve ku diskutohej për fatet e kombit, për lirimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e sidomos për Kosovën. Sot, 110 vite nga themelimi i saj, pozita e kombit tonë është më e mirë se ndonjëherë më parë dhe për këtë ka meritat dhe kontributet e patjetërsueshme edhe “Vatra”. Secili ‘vatran’ dhe shqiptar i SHBA meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare,“ theksoi Meta.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqësia e tij, z. Ilir Meta, ka vendosur që gjatë qendrimit të tij në SHBA, gjatë këtij manifestimi të vlerësoj me dekorata dhe tituj nderi disa prej personaliteteve të çmuara të mërgimtarëve të diasporës sonë në SHBA.

Me këtë rast, presidenti i Republikës së Shqipërisë, dekoroi z. Marash Nucullaj me titullin „Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“.

Ndëkohë kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama kërkoi ndihmën e Vatrës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan për të konsoliduar Kosovën si shtet.

Para të pranishmëve foli edhe ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, aktivisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj. Ai bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta.  

Moderatorë të kësaj mbrëmje ishin: Pashko Camaj dhe Kristina Camaj.

Me rastin e 110 vjetorit të themelimit, Federata Panshqiptare “Vatra” organizoi edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare gjatë së cilës studiues të njohur të botës akademike shqiptare paraqitën kumtesa mbi rolin e organizatës “Vatra”, themelimin e shtetit shqiptar e deri tek pavarësia e Kosovës.

SHARE