Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq u bëri edhe një herë thirrje të gjithë aktorëve politikë që në Kuvend të votojnë sa më shpejt dy gjyqtarët që mungojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ai deklaroi se kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, duhet që nesër ta vendosë në rend dite votimin për të dy kandidatët që Millatoviq i ka propozuar për Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se miratimi i gjyqtarëve do të dëshmonte përkushtimin real ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se një gjyqtare aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese “në rrethana të diskutueshme” dhe rikujtoi se ka dorëzuar një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa dispozitave ligjore.
Sipas tij, moscaktimi i seancës për votimin e kandidatëve përbën pengim politik të sundimit të ligjit, funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe rrugës evropiane të vendit.
Millatoviq deklaroi gjithashtu se anëtarësimi i plotë i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është detyra historike e gjeneratës aktuale.
Duke folur në hapjen e ekspozitës “20 vjet në 20 fotografi” në Podgoricë, ai tha se viti 2028 simbolizon një kapitull të ri në historinë e vendit, kur pritet anëtarësimi në BE.
Ai shtoi se samiti BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat do të jetë një sinjal i rëndësishëm politik nga partnerët evropianë, ndërsa njoftoi edhe vizitën e tij zyrtare në Qipro, ku do të diskutohet për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.










