GJELOSHAJ: QËLLIMI ËSHTË TËRHEQJA E INVESTIMEVE TË PËRGJEGJSHME

Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik / Ministarstvo ekonomskog razvoja

Në konferencën RE:D në Budva, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, deklaroi se qëllimi i Malit të Zi nuk është vetëm tërheqja e investimeve, por tërheqja e investimeve të përgjegjshme që sjellin standarde bashkëkohore dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Duke folur në konferencën RE:D në Budva, ai tha se është e rëndësishme të krijohet një ambient që investitorëve u ofron siguri, ndërsa qytetarëve mundësi për një jetë më cilësore. Konferenca RE:D, e dyta me radhë, nisi në Budva dhe konsiderohet një nga forumet kryesore për investime, ekonomi, financa, turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme, duke mbledhur investitorë dhe ekspertë vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Në hapjen solemne u theksua se konferenca po organizohet në një moment të rëndësishëm për Malin e Zi, në vitin kur shteti shënon dy dekada pavarësi dhe kur po afrohet përfundimi i negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjeloshaj tha se ky takim dëshmon interesimin e madh për diskutimet mbi zhvillimin ekonomik.

“Në kohën e sfidave globale ekonomike dhe kërkesave gjithnjë e më të theksuara për zhvillim të qëndrueshëm, është veçanërisht e rëndësishme të kultivojmë një ambient që investitorëve u ofron siguri, ndërsa qytetarëve mundësi për një jetë më cilësore. Mali i Zi sot po e konfirmon qartë perspektivën evropiane. Qëllimi ynë nuk është vetëm tërheqja e investimeve, por tërheqja e investimeve të përgjegjshme që sjellin standarde bashkëkohore dhe zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi Gjeloshaj.

Në konferencë u theksua edhe rëndësia e investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit, roli i integrimit evropian në rritjen e sigurisë juridike për investitorët, si dhe potenciali i Budvës si qendër dinamike ekonomike dhe turistike. Organizatorët deklaruan se qëllimi i forumit është ofrimi i zgjidhjeve konkrete për zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të Malit të Zi.

SHARE