DUKAJ: TË RINJTË JANË SHTYTËS TË REFORMAVE DHE PARTNERË TË RËNDËSISHËM PËR TË ARDHMEN EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj gjatë takimit me përfaqësuesit e Këshillit Studentor të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Malit të Zi deklaroi se të rinjtë janë shtytësit kryesorë të ndryshimeve pozitive dhe të ndërtimit të një shoqërie moderne, të përgjegjshme dhe evropiane.

Ai theksoi se institucionet duhet të jenë të hapura ndaj ideve, iniciativave dhe mendimit kritik të të rinjve.

Gjatë takimit u diskutua për përfshirjen aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, reformat në administratën publike, integrimet evropiane dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Gjithashtu u theksua rëndësia e krijimit të një ambienti më stimulues për të rinjtë në administratën publike dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit akademik.

Ministri Dukaj tha se ministria mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me studentët dhe botën akademike, duke i konsideruar të rinjtë e arsimuar si partnerë kyç në vazhdimin e reformave dhe në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e studentëve, të udhëhequr nga Vedran Vujisiq, falënderuan ministrin për gatishmërinë për bashkëpunim dhe shprehën interes për vazhdimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta mes institucioneve dhe të rinjve.

SHARE