KOREA VERIORE REGJISTRON “VDEKJEN E PARË ME COVID-19”

Koreja Veriore ka konfirmuar vdekjen e parë nga covid , ndërsa media shtetërore raporton se dhjetëra mijëra njerëz po shfaqin simptoma si ethe dhe temperaturë. Gjashtë njerëz kanë vdekur pasi janë përballur me ethe dhe njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në variantin Omicron të koronavirusit, ka raportuar të premten media shtetërore. Autoritetet verikoreane kanë raportuar për një shpërthim të variantit Omicron në kryeqytetin Phenian, si dhe kanë bërë të ditura masat e izolimit. Disa ekspertë besojnë se virusi ka qenë prezent prej një kohe të gjatë në këtë shtet, pavarësisht se autoritetet kanë bërë të ditur rastin e parë zyrtarisht më 12 maj. Koreja Veriore nuk ka dhënë vaksina kundër koronavirusit dhe ka refuzuar furnizimet me vaksina nga prodhuesit AstraZeneca dhe Sinovac. Mënyra e vetme e Koresë Veriore për të luftuar koronavirusin ka qenë përmes mbylljes së kufijve të jashtëm prej janarit të vitit 2020.

SHARE