KRYEMINISTRI I MALIT TË ZI, DRITAN ABAZOVIQ DO TA VIZITOJË KOSOVËN PËR HERË TË PARË ZYRTARISHT

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do ta vizitojë për herë të parë zyrtarisht Kosovën, që nga marrja e postit të kryeministrit. 

Kryeministri Abazoviq, gjatë qëndrimit tre-ditorë në Kosovë, më 13, 14 dhe 15 prill, do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani, homologun e tij kosovar Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në agjendën e vizitës së Abazoviq janë edhe takimet me dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Përpos krerëve institucionalë dhe politikanëve, Abazoviq do të takohet edhe me biznesmenë, profesorë universitarë dhe do të zhvillojë aktivitete me karakter ekonomik në qytetin e Pejës.

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), me ftesë të së cilës kryeministri Abazoviq do të vijë në Kosovë, ka njoftuar se kryeministri malazez ndër të tjera do të promovojë një libër në Prishtinë si dhe do të nderohet me titullin “Honoris Causa” nga një universitet privat.

“Do të kemi disa vizita në Prishtinë dhe në Pejë. Aktivitet do të ketë me bizneset që kanë aktivitet me Malin e Zi, kjo ndoshta është një vizitë historike”, theksoi Agim Shahini, kreu i AKB-së.

Fokusi i vizitës së Abazoviqit, sipas AKB-së, do të jetë në ekonomi, ndërsa Abazoviq nuk do të jetë vetëm në këtë vizitë. Bashkë me të Kosovën do ta vizitojnë edhe kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari dhe ai i Tuzit, Nik Gjeloshaj, si dhe dy nga ministrat e kabinetit qeveritar.

SHARE