Pas seancës së përbashkët të qeverisë së Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila është planifikuar të mbahet më 27 shkurt, është planifikuar të mbahet një seancë e përbashkët me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo u konkludua në takimin e kryeministrit Dritan Abazoviq dhe zëvendëskryeministrin Vlladimir Jokoviq me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupçet Nikollovski, i cili po viziton Malin e Zi.
Abazoviq shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe tha se vizita e ministrit Nikollovski do t’i japë një shtysë shtesë forcimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit.
„Krahas turizmit dhe energjetikës, bujqësia është dega me potencialin më domethënës për zgjerim, synimi ynë është që në periudhën e ardhshme t’i shfrytëzojmë maksimalisht këto mundësi”, tha kryeministri.
Ministri Nikollovski i njoftoi bashkëbiseduesit për rezultatet në fushën e prodhimit dhe eksportit, si dhe shprehu gatishmërinë e tij që Maqedonia e Veriut të ndajë praktikat e mira me Malin e Zi dhe të kontribuojë në një tërheqje më të fortë të fondeve nga fondet e BE-së.
Bashkëbiseduesit, siç thuhet në njoftim, shkëmbyen mendime për situatën aktuale në rajon dhe vlerësuan se mbajtja e seancave të përbashkëta të qeverive paraqet instrument të rëndësishëm për një bashkëpunim më të fortë ndërmjet vendeve të rajonit.