Me afrimin e përvjetorit të parë të pushtimit rus, luftimet e ashpra po zhvillohen rreth qytetit lindor të Bakhmut që është ende në duart e Ukrainës mes një beteje disamujore. Rusia ka bërë të ditur se trupat e saj kanë përparuar disa kilometra përgjatë vijës së frontit në Ukrainë, ndërsa Kievi tha se forcat e saj kishin zmbrapsur sulmet ruse në disa zona. Ushtria ukrainase raportoi bombardime të rënda ruse përgjatë vijës së frontit dhe tha se 16 vendbanime ishin bombarduar pranë Bakhmutit. Një person u vra në Kherson dhe dëmtimi i infrastrukturës së trenave ka penguar që trenat nga Kievi dhe Lviv të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve të reja terroriste nga forcat ruse që shënjestrojnë infrastrukturën energjetike në të gjithë vendin. Në fjalimin e tij Zelensky tha se punëtorët kishin riparuar pjesën më të madhe të dëmeve të shkaktuara nga sulmet me dron dhe raketa ruse më 10 Shkurt. Themeluesi i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, pretendoi se forcat e tij kanë marrë kontrollin e Krasna Hora, një fshat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, që gjendet afër Bahmutit, objektivit kyç të forcave ruse. Me Ukrainën e dëshpëruar për më shumë armë dhe municione për të kthyer valën e luftës, ministrat e mbrojtjes nga disa vende të NATO-s aleate me Kievin do të takohen në Bruksel të martën për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake. Zyrtarët ukrainas presin që një ofensivë e gjerë ruse, për të cilën shumë vëzhgues besojnë se tashmë ka filluar, të fokusohet në Donbas, rajonin e Kharkivit në verilindje të Ukrainës dhe rajonin juglindor të Zaporizhzhias. Ndërkaq, ambasada amerikane në Moskë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Rusia për shkak të luftës dhe rrezikut të arrestimit nga agjencitë ruse të zbatimit të ligjit. SHBA ka paralajmëruar vazhdimisht qytetarët e saj që të largohen nga Rusia. Paralajmërimi i fundit i tillë publik ishte në shtator pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm.