PREZANTOHET PROJEKTI PËR PORTIN TREGTAR, KRYEMINISTRI: TË GARANTUARA KONTRATAT AKTUALE

Qeveria synon hapjes e një gare ndërkombëtare brenda vitit të ardhshëm për ndërtimin e Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano. 46 % të vlerës së investimit do të jetë nga qeveria e Shqipërisë, dhe 54% kompania fituese e garës ndërkombëtare. Kryeministri Rama në prezantimin e projektit ideuar nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV” foli për rëndësinë e ndërtimit të këtij porti jo vetëm për Shqipërinë por edhe vendet e rajonit. “Jemi vonë sepse nëse do të shihnim me kujdes projeksionet e kompanisë dhe progresionin e volumit të mallrave dhe të të ardhurave që kjo vepër do të garantojë në harkun e 30 viteve të ardhshme apo 20 vitet e ardhshme, si të doni, po të kishte nisur kjo punë 20 vjet më parë, apo 30 vjet më parë sot do të ishim duke i marrë frutet”, tha Edi Rama. Porti i ri Tregtar theksoi kryeministri rrit trefish kapacitetin e përpunimit gjë që është e pamundur të mendohet për portin ekzistues. “Pika tjetër shumë e rëndësishme është garancia 100% e kontratave ekzistuese me të gjithë operatorët ekzistues. Ata kanë kontrata të caktuara. Kontratat janë të garantuar 100%. Thjesht do të ketë spostime nga një vend në vendin tjetër, por operacioni ligjor nuk do të pengohet për asnjë subjekt që do të doje të vazhdojë operimin”, u shpreh Rama. Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut.

SHARE