FORMOHET DREJTORIA PËR INTERKULTURALIZËM

Miratimi i Drejtorisë për Ndërkulturalizëm do të përmirësojë më tej domenin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe do të forcojë lidhjen dhe ndërvarësinë e tyre reciproke, vlerësoi ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka. Në prezantimin e Drejtorisë së sapoformuar për Interkulturalizëm, ai tha se Qeveria ka për obligim të krijojë dhe zbatojë politika dhe ligje që ndërtojnë dhe mbrojnë një shoqëri të tolerancës dhe barazisë. “Shteti duhet të zhvillohet në drejtim të ndërtimit të një identiteti qytetar të përbashkët, gjithëpërfshirës”, tha Gjeka. Ai deklaroi se në dritën e integrimeve aktuale, Mali i Zi me përkushtim po hap rrugën drejt Evropës, duke përmirësuar të drejtat e njeriut dhe duke treguar se mund dhe di të ngulmojë në forcimin e tolerancës. Sipas Gjekës, diversiteti kulturor është pasuria më e madhe dhe diçka për të cilën Mali i Zi duhet të krenohet, dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave ofron mbështetje për projekte dhe ide që synojnë të humanizojnë dhe forcojnë ndërgjegjësimin për të drejtat dhe liritë universale.

SHARE