Negociatat e para trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara që nga fillimi i këtij viti kanë sjellë përparim të kufizuar në aspektin humanitar, por pak rezultate konkrete drejt përfundimit të luftës.
Bisedimet dyditore, të mbajtura në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, përfunduan me një marrëveshje në parim për shkëmbimin e një numri të madh të të burgosurve të luftës. Gjithashtu, ato hapën diskutimet për marrëveshje më të gjera lidhur me sigurinë evropiane.
Megjithatë, palët duket se nuk janë më afër arritjes së paqes sesa ishin para fillimit të negociatave.
“Pengesa themelore për përfundimin e kësaj lufte është se asnjëra nga palët ndërluftuese aktualisht nuk sheh mundësi për një marrëveshje paqeje që do t’i garantonte interesat e saj jetike me një kosto më të ulët sesa vazhdimi i luftimeve”, deklaroi për REL-in Sławomir Debski, profesor në Kolegjin e Evropës, me seli në Varshavë.
“Moska dëshiron një paqe që do ta shndërronte agresionin e saj në një fitore strategjike. Ukrainës i duhet një paqe që ia ruan aftësinë për të mbijetuar. Evropa nuk mund ta pranojë kontrollin rus mbi sigurinë evropiane, ndërsa Amerika nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme strategjike për ta lehtësuar një gjë të tillë”, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë i cilësuan negociatat si të vështira, por produktive, duke pranuar njëkohësisht se mes Kievit dhe Moskës ende mungon besimi.
Megjithatë, bisedimet shënuan një zhvillim të rëndësishëm, pasi Uashingtoni po përpiqet t’i zgjerojë negociatat përtej së ardhmes së Ukrainës, duke përfshirë edhe marrëveshje më të gjera për sigurinë e Evropës.
Ky zhvillim mund t’i përfshijë edhe qeveritë evropiane në një proces nga i cili deri më tani kanë qenë kryesisht të përjashtuara.
Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, tashmë janë nisur drejt Moskës, ku pritet të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin.
Pas këtij takimi, ata do të udhëtojnë drejt Dublinit për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili aktualisht ndodhet për vizitë në Irlandë.









