MILLATOVIQ NGA DUBLINI: ME MBËSHTETJEN E IRLANDËS, MALI I ZI SYNON ANËTARËSIMIN NË BE NË VITIN 2028

Foto: predsjednik.me

Me mbështetjen e presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, Mali i Zi synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të këtij viti dhe të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit deri në verën e vitit të ardhshëm.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Dublin, deklaroi se synimi është që vendi në vitin 2028 të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian.

Millatoviq theksoi se përfundimi me sukses i rrugëtimit evropian do të ishte një moment i rëndësishëm jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Bashkimin Evropian dhe të ardhmen e politikës së zgjerimit.

Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi do të ishte një dëshmi e fortë e besueshmërisë së BE-së dhe politikës së saj të zgjerimit. Pas një periudhe të gjatë pa anëtarë të rinj, suksesi i Malit të Zi do të dëshmonte se perspektiva evropiane është e arritshme dhe se reformat sjellin rezultate konkrete.

“Ky do të ishte një dëshmi se reformat dhe përparimi vlerësohen dhe se perspektiva evropiane mund të bëhet realitet për shtetet që përmbushin detyrimet e tyre”, deklaroi Millatoviq.

SHARE