ZELENSKY AKUZON RUSINË PËR SHKELJE TË ARMËPUSHIMIT ENERGJETIK

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë se ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për një marrëveshje që parashikon ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike.

Zelensky deklaroi se një dron rus i tipit Shahed goditi një central elektrik në Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona, ndërsa sulme të tjera u regjistruan edhe në rajonin e Harkivit. Ai theksoi se Ukraina e mbështet armëpushimin, por kërkoi që edhe Moska ta respektojë atë.

Deri më tani, Rusia nuk ka komentuar njoftimin e Trumpit, ndërsa pretendimet për sulmet e fundit nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, vendimi i Uashingtonit për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj eksporteve ruse të naftës ka shkaktuar reagime të ashpra në Ukrainë, Evropë dhe në mesin e disa ligjvënësve amerikanë, të cilët paralajmërojnë se kjo mund të rrisë të ardhurat e Moskës për financimin e luftës.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, përsëriti se Evropa nuk do ta ulë presionin ndaj Rusisë dhe njoftoi se BE-ja po shqyrton masa të reja ndëshkuese ndaj Moskës.

SHARE