Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha, përfshirë sigurinë, teknologjinë, ekonominë, shëndetësinë, energjinë dhe bujqësinë.
Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologu i tij izraelit, Gideon Saar, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend.
Hoxha theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe në sigurinë kibernetike, duke falënderuar Izraelin për mbështetjen pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare.
Gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës.
Nga ana e tij, Saar vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë kundër Hamasit dhe mbrojtjen që shqiptarët u ofruan hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar nevojën për ta shndërruar miqësinë mes dy vendeve në bashkëpunim konkret.
Marrëveshja synon të krijojë një kuadër të përbashkët për zhvillimin e projekteve dhe zgjerimin e partneritetit në fusha me interes të ndërsjellë.








