Ministri i Kulturës së MZ, Alleksandar Bogdanoviq, gjatë qëndrimit në Jevren të Armenisë , në margjinat e Samitit të 17-të shteteve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, u takua me Presidentin e Republikës së Francës Emanuell Makron.
Me këtë rast Bogdanoviq, deklaroi se Mali i Zi, është mirënjohës ndaj Francës për ndihmën dhe përkrahjen në procesin e integrimeve evropiane.
“Ne jemi të bindur se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vazhdojë dhe do të jetë edhe më substancial, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe në fushat e kulturës, turizmit dhe arsimit”, i tha Bogdanoviq, Makronit.
Përpos Bogdanoviq, i cili udhëhoqi delegacionin e Malit të Zi, në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.
Bogdanoviq në Samitin, e kryesuar nga Kryeministri i Armenisë, Nikoll Pashinjan, mori pjesë si i dërguari i Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Samiti u zhvillua me temën “Të jetojmë së bashku në solidaritet, shkëmbimin e vlerave njerëzore dhe respektin për diversitetin”, i cili është në përputhje me prioritetet e Organizatës Ndërkombëtare për Frankofoninë që synon paqen dhe begatinë për vendet ku flitet ose përdoret gjuha franceze.