MAROKU NË ZI PAS TËRMETIT, MË SHUMË SE 2.100 TË VDEKUR

Më shumë se 48 orë pas tërmetit të magnitudës 6.8 prej të cilit vdiqën më shumë se 2.100 vetë, ekipet e shpëtimit në Marok po gërrmojnë me duar mes rrënojave për gjetjen e të mbijetuarve, në mesin e një gare të dëshpëruar me kohën për të shpëtuar sa më shumë jetë. Ekspertët bëjnë fjalë për një hapësirë 72 orë për të gjetur gjallë të mbuluarit nga rrënojat. Kaq gjatë mund të durojë dikush pa ujë, sipas një vlere orientuese.

Tërmeti i së premtes, më vdekjeprurësi në vend në 60 vjet, e pati epiqendrën pikërisht në fshatrat në jug të Marrakeshit, një pjesë e të cilave janë kthyer në gërmadha, ndërsda banorët presin ndihmën që vonon të mbërrijë. Katër vende deri më tani – Britania, Spanja, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur ndihma drejt Marokut.

Autoritetet e Marokut shprehen, se “është bërë një vlerësim i kujdesshëm i nevojës në terren”.

“Nëse kjo nevojë do të ndryshojë”, do të merren parasysh oferta të tjera. Organizata Gjermane e Ndihmës Teknike, THW, i ktheu paraprakisht punonjësit e saj në shtëpi. Ata qëndronin të gatshëm në aeroportin e Köln/Bonnit për misionin në Marok.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se 300.000 vetë janë prekur nga pasojat e tërmetit në Marrakesh dhe zonat përreth.

Mbreti Mohamed VI shpalli tre ditë zie kombëtare. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 72 km në jugperëndim të Marakeshit, një qytet që njihet për xhamitë dhe ndërtesat mesjetare dhe tërheq shumë turistë.

SHARE