MERCIER: INTEGRIMI GRADUAL NUK ËSHTË ZËVENDËSIM PËR ANËTARËSIMIN NË BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: KE

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka deklaruar në Bruksel se integrimi gradual i vendeve kandidate në Bashkimin Evropian është një mekanizëm që u mundëson atyre përfitime të caktuara të anëtarësimit edhe para pranimit formal në BE, por nuk e zëvendëson anëtarësimin e plotë.

Ai sqaroi se ky proces përdoret për të mbështetur vendet kandidate dhe ato potenciale në rrugën e tyre drejt BE-së, duke u dhënë qytetarëve përfitime konkrete në faza të hershme të procesit të integrimit.

Si shembuj të këtyre përfitimeve ai përmendi sistemin SEPA, uljen e tarifave të roamingut dhe mekanizma të tjerë praktikë që sjellin përfitime të menjëhershme për qytetarët, duke i afruar gradualisht vendet me standardet e BE-së.

Megjithatë, ai theksoi qartë se integrimi gradual nuk është alternativë dhe as zëvendësim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, përfshirë komisionerin për buxhet dhe administratë Piotr Serafin, kanë theksuar se zgjerimi i BE-së është një investim gjeostrategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit dhe se integrimi gradual duhet parë vetëm si hap përgatitor, jo si zëvendësim i procesit të anëtarësimit.

Nga Brukseli gjithashtu është përsëritur se politika e zgjerimit mbetet e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor, por me kusht që ato të përmbushin reformat e kërkuara.

SHARE